Presidenti Erdogan: Po ndjekim “nga afër” nismat që synojnë t’u japin fund sulmeve dhe pushtimit izraelit

Turqia po ndjek “nga afër” nismat diplomatike që synojnë t’u japin fund sulmeve dhe pushtimit izraelit, tha të enjten presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, transmeton Anadolu.

Pas tërheqjes së forcës aktuale ndërkombëtare të OKB-së, Turqia dëshiron të luajë një rol aktiv në të gjitha nismat që synojnë ruajtjen e sovranitetit të Libanit, tha Erdogan gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin libanez Joseph Aoun, i cili ndodhet për vizitë zyrtare.

Aoun tha të mërkurën se diskutimet po vazhdojnë për një forcë të mundshme ndërkombëtare që do të zëvendësonte forcën e OKB-së në jug të Libanit, me propozime që përfshijnë pjesëmarrje evropiane, turke, të mbështetur nga NATO-ja, si dhe arabe e islame.

Ai tha se përparësia e Libanit është parandalimi i një vakumi të pushtetit dhe garantimi që çdo forcë e re të mbështesë ushtrinë libaneze, të ruajë stabilitetin dhe të respektojë sovranitetin kombëtar.

Turqia më parë ka kontribuar në komponentin detar të Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL), forcës aktuale të OKB-së.

“Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për forcimin e kapaciteteve institucionale të Libanit dhe gjithashtu do të vazhdojmë ndihmën tonë humanitare dhe teknike”, tha Erdogan.

Ai shtoi se Turqia është e gatshme të ofrojë “gjithë mbështetjen e mundshme” për rindërtimin e jugut të Libanit pas sulmeve izraelite.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button