Mbështetja për Izraelin po i ndan demokratët amerikanë si kurrë më parë

Mbështetja tradicionale dypartiake e Shteteve të Bashkuara për Izraelin po dobësohet brenda Partisë Demokratike, ku një numër në rritje votuesish dhe ligjvënësish po kërkojnë rishikimin e ndihmës ushtarake amerikane.

Lufta në Gaza, konflikti me Iranin dhe afërsia politike e kryeministrit Benjamin Netanyahu me republikanët kanë thelluar ndarjen, transmeton Telegrafi.

Ndryshimi u pa edhe në Kongres. Gati gjysma e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve votuan këtë muaj për një amendament, i cili nuk kaloi, që synonte ndërprerjen e ndihmës për Izraelin.

Mes atyre që e mbështetën ishin edhe figura të njohura të partisë, ndërsa udhëheqësi demokrat Hakeem Jeffries dhe disa bashkëpunëtorë të tij e kundërshtuan masën si tepër të gjerë.

Shtetet e Bashkuara i japin Izraelit rreth 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake çdo vit. Debati brenda demokratëve tani përqendrohet nëse kjo mbështetje duhet të vazhdojë pa ndryshime, të kufizohet vetëm në sisteme mbrojtëse ose të pezullohet.

Sondazhi i Universitetit Quinnipiac i publikuar në qershor tregoi se 48 për qind e votuesve amerikanë mendojnë se Uashingtoni e mbështet tepër Izraelin.

Te demokratët kjo përqindje arrin në 66 për qind, ndërsa shumica e republikanëve e konsiderojnë nivelin aktual të mbështetjes të përshtatshëm.

Çështja po ndikon edhe në zgjedhjet paraprake demokrate në Michigan, New York, Florida dhe Colorado.

Kandidatët kritikë ndaj politikave izraelite kanë shënuar disa fitore, duke treguar se marrëdhënia me Izraelin po kthehet nga pikë bashkimi në një nga temat më përçarëse të politikës amerikane.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button