Dëshmitari: Rezultatet e ADN-së për rastin e sulmit në Ibër-Lepenc u konfirmuan edhe në Itali

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve në rastin ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, raporton Anadolu.
Në seancën e radhës, drejtori i Departamentit për Kimi dhe Biologji në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Fatmir Ademi ka dëshmuar lidhur me analizat e AND-së të kryera gjatë hetimit, duke thënë se rezultatet e ekspertizës janë verifikuar edhe nga një laborator në Itali.
Në ditën e dytë të dëshmisë, Ademi ka thënë se janë gjetur 7 prova në vendin e ngjarjes dhe nga 51 dëshmi të analizuara asnjëri prej të akuzuarve nuk është përjashtuar.
“Ekspertiza është kryer në laboratorin e ADN-së, në Prishtinë dhe jo në Itali. Ne përveç tjerash e kemi bërë analizimin edhe në mungesë të softuerit, para se të shkojme në Itali. Ne i kemi krahasuar dhe kemi bërë një vlerësim tonin edhe para interpretimit nga italianët. Vendimin për dërgim për interpretim në Romë e ka bërë Prokuroria dhe jo ne. Ne kemi dërguar rezultatet që ne i kemi nxjerrë me ekspertizën e ADN-së”, ka thënë ai kur është pyetur për këtë çështje nga mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, avokatit Nebojsha Vllajiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, komunë kjo në veri të Kosovës që është e banuar kryesisht me serbë.
Në aktakuzën, të cilën e ka ngritur prokurori Bekim Kodraliu, bëhet e ditur se Jovan Viqentijeviq i ka thënë Prokurorisë se është trajnuar në poligonin e ushtrisë serbe “Pasulanske Livade” (Livadhet e Fasules) bashkë me rreth 120 persona të tjerë, në periudhën midis 14 e 23 shtatorit të 2023-s, ku gjatë kësaj periudhe kohore, bazuar në aktakuzën për sulmin terrorist në Banjskë, të ndërmarrë nga serbë të armatosur dhe të uniformuar, stërvitje në poligonin “Pasulanske Livade” ka kryer edhe grupi i Milan Radoiçiqit.
Një ekspertizë e kryer nga Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI), e cila është pjesë e aktakuzës, ka treguar se në çizmet e të akuzuarve është gjetur dhe që bazuar në strukturën, ngjyrën dhe përbërjen ka qenë e njëjtë me atë të marrë si mostër në kanalin e “Ibër-Lepencit”.



