Klekovski: Rreth 4.000 të sëmurë në Gostivar, numri i rasteve të reja po bie, por uji ende nuk është i sigurt

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot vizitoi Spitalin Special për Sëmundje të Mushkërive në Leshok, pas informacioneve në opinion se uji i pijshëm në këtë institucion nuk është i sigurt për përdorim.
Ai deklaroi se gjendja me epideminë në Gostivar gradualisht po stabilizohet dhe se numri i pacientëve të rinj është ulur ndjeshëm.
“Gjatë ditës së sotme janë regjistruar 80 pacientë të rinj, që është dyfish më pak krahasuar me ditët paraprake. Në total janë evidentuar rreth 4.000 të sëmurë. Deri tani janë paraqitur 750 raste të sëmundjeve infektive, ndërsa epidemiologjikisht janë përpunuar 490 raste. Mund të themi se epidemia po hyn në një fazë qetësimi dhe po fillon një analizë e detajuar për përcaktimin e kronologjisë së ngjarjeve. Në periudhën e ardhshme do të bëhet dallimi mes rasteve të lidhura me epideminë dhe gastroenteriteve të zakonshme”, deklaroi Klekovski.
Ai theksoi se, pavarësisht përmirësimit të gjendjes shëndetësore, uji nga rrjeti i ujësjellësit të qytetit në Gostivar ende nuk mund të përdoret as për nevoja teknike.
“Analizat e fundit treguan se niveli i klorit rezidual ende nuk është i mjaftueshëm. Vazhdimisht merren mostra nga disa pika matëse dhe sapo parametrat të përmbushin standardet e nevojshme, do të lejohet përdorimi i ujit”, sqaroi ministri.
Duke folur për gjendjen në Leshok, Klekovski tha se problemi me cilësinë e ujit nuk është i ri dhe se zgjat prej më shumë se një dekade. Sipas tij, spitali prej vitesh përdor ujë të pijshëm nga shpërndarësit, dhe jo nga ujësjellësi lokal.
Sipas ministrit, banorët e Leshokut janë të njohur me gjendjen dhe i respektojnë rekomandimet e institucioneve kompetente. Aktualisht po zhvillohen aktivitete për zgjidhjen afatgjatë të problemit, ndërsa gjatë javës së ardhshme do të kryhen analiza shtesë për të përcaktuar nëse uji do të mund të përdoret edhe për pije, jo vetëm në spital, por në të gjithë fshatin.
Klekovski rikujtoi se kontrolli i cilësisë së ujit të pijshëm është përgjegjësi e ndërmarrjeve publike komunale dhe vetëqeverisjeve lokale, të cilat janë kompetente për sigurimin e furnizimit të sigurt me ujë.



