Mbi 12 mijë persona evakuohen pasi zjarri pyjor godet një nga destinacionet turistike më të njohura të Francës

Më shumë se 12.000 persona janë evakuuar pasi një zjarr pyjor vazhdoi të përhapet në departamentin Gironde, pranë Gjirit Arcachon, një prej destinacioneve turistike më të njohura të Francës, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi BFM, zjarri, i cili shpërtheu të mërkurën, ka djegur tashmë rreth 2.400 hektarë bimësi,.
Sipas autoriteteve lokale, evakuimet, të kryera si masë paraprake, përfshinë gjashtë kampe pushimi dhe një zonë banimi në veri të Cap-Ferret, një zonë bregdetare shumë e frekuentuar nga turistët gjatë sezonit veror.
Autoritetet thanë se rreth 8.800 persona u evakuuan nga Claouey, përveç afro 10.000 personave të evakuuar një natë më parë.
Prefektura e Girondes bëri të ditur se operacionet e evakuimit u zhvilluan “në mënyrë të qetë”.
Rreth 700 zjarrfikës u angazhuan në luftën kundër flakëve, të mbështetur nga dy avionë Canadair për hedhjen e ujit, dy avionë Air Tractor dhe një avion Dash. Gjithashtu u dislokuan rreth 330 xhandarë, përfshirë 140 xhandarë të departamentit dhe tre njësi të lëvizshme të xhandarmërisë.
Zona metropolitane e Bordosë njoftoi se ka vënë në dispozicion 255 shtretër kampi në qendrën e ekspozitave të qytetit për të strehuar të evakuuarit, nëse do të jetë e nevojshme.
Gjashtë anëtarë të rezervës qytetare të metropolit, së bashku me Kryqin e Kuq, u angazhuan gjithashtu për të mbështetur operacionet e ndihmës.
Në departamentin Var, në jug të Francës, zjarrfikësit vazhduan luftën me një tjetër zjarr të madh pyjor, i cili ka djegur rreth 2.500 hektarë dhe ka detyruar evakuimin e rreth 400 personave.
Autoritetet thanë se zjarri nuk po përhapej më, por mbetej shqetësues për shkak të kushteve të motit, pasi më vonë gjatë ditës prit erëra më të forta.
Sindikatat e zjarrfikësve francezë kanë paralajmëruar gjithashtu për “tensione të vazhdueshme”, të shkaktuara nga rritja e kërkesave operacionale. Zëdhënësi i tyre, Eric Brocardi, i përshkroi zjarrfikësit si “të rraskapitur”.
Franca është përballur me disa sezone të rënda zjarresh pyjore në vitet e fundit, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se rritja e temperaturave dhe periudhat e gjata të thatësirës, të lidhura me ndryshimet klimatike, po rrisin rrezikun e zjarreve pyjore në mbarë Evropën.


