Cisternë me ujë teknik për nevojat e pacientëve dhe stafit në Spitalin e Gostivarit

Për të përmbushur nevojat higjienike të pacientëve dhe të punonjësve në Spitalin e Gostivarit, është siguruar ujë përmes cisternave.
Nga Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” – Gostivar njoftojnë se që nga mbrëmja e djeshme, në oborrin e spitalit është vendosur një cisternë me ujë. Automjeti është siguruar përmes bashkëpunimit me Ndërmarrjen Publike Komunale “Tetova” dhe do të jetë në dispozicion edhe në periudhën e ardhshme.
“Cisterna do të jetë në funksion të pacientëve dhe personelit spitalor për nevojat higjieno-teknike, me qëllim që të sigurohen kushte sa më të mira për funksionimin e pandërprerë të spitalit”, thuhet në njoftimin e drejtuesve të spitalit.
Dje, drejtori i spitalit, Emri Bajrami, bëri të ditur se për të gjitha repartet spitalore është siguruar ujë i ambalazhuar për pije, i destinuar për pacientët, në mënyrë që ata të kenë qasje në ujë të sigurt për konsum.
Pas problemeve të shkaktuara nga ndotja e ujit në rrjetin e ujësjellësit të qytetit, spitali është përballur me një rritje të jashtëzakonshme të numrit të kontrolleve dhe me fluks të madh pacientësh.
Drejtori Bajrami theksoi se personeli është plotësisht i angazhuar në tejkalimin e situatës aktuale dhe vazhdon komunikimin e vazhdueshëm dhe koordinimin me institucionet kompetente, me qëllim sigurimin e funksionimit të pandërprerë të shërbimeve shëndetësore dhe ofrimin në kohë të kujdesit për pacientët.



