Në Bosnje e Hercegovinë përkujtohen 6 të rinjtë nga Srebrenica, në 31-vjetorin e vrasjes së tyre gjatë luftës

Në Bosnje e Hercegovinë u mbajt një ceremoni përkujtimore për 6 të rinj boshnjakë nga Srebrenica, të cilët u ekzekutuan me armë nga njësia paramilitare serbe e quajtur “Akrepat” gjatë luftës së viteve 1992-1995, raporton Anadolu.

Në zonën pyjore në Trnovo, në lindje të kryeqytetit Sarajevë, ku u vranë 6 të rinjtë, u organizua ceremonia përkujtimore në 31-vjetorin e masakrës.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të shoqatave të viktimave të luftës dhe familjarë të të rinjve të ekzekutuar, ndërsa për të vrarët u lexuan pjesë nga Kurani dhe u bënë lutje.

Sejdalija Delic, vëllai i Juso Delic, i cili ishte 25-vjeç kur u vra, tha në fjalimin e tij se prej 31 vitesh merr pjesë në ceremonitë përkujtimore për vëllain e tij.

“Ishte rrahur dhe torturuar aq shumë sa nuk e njoha dot vëllain tim. Më vonë identiteti i tij u përcaktua përmes testit të ADN-së”, tha ai.

Kryetarja e Shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Zhepës”, Munira Subashiq, tha se edhe pse kanë kaluar 31 vjet, dhimbja e përjetuar është ende e freskët dhe se do të vazhdojnë luftën e tyre për drejtësi.

– Çfarë ndodhi në Trnovo?

Në korrik të vitit 1995, pjesëtarët e njësisë paramilitare serbe të quajtur “Akrepat” sollën në Trnovo banorët nga Srebrenica dhe i ekzekutuan duke i shtrirë në tokë.

Më i riu ndër të vrarët ishte 16-vjeç, ndërsa më i moshuari 36-vjeç.

Pamjet e masakrës u transmetuan në atë kohë edhe nga mediat botërore dhe shkaktuan reagime të mëdha.

Pas krimeve të kryera, komandanti i njësisë serbe Slobodan Medic u dënua me 20 vjet burg, pjesëtari i njësisë Pero Petrasevic me 13 vjet, ndërsa Aleksandar Medic me 5 vjet burg.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button