Rasti me ujin e pijshëm në Gostivar – ja për çfarë dyshon MPB-ja

Pas njoftimit të spitalit në Gostivar se 1.200 pacientë gjatë katër ditëve të fundit janë paraqitur për kontroll për shkak të të vjellave, diarresë dhe dhimbjeve në stomak – nga fëmijë deri te të rritur – nga MPB-ja për “Sloboden Peçat” thonë se mbrëmë rreth orës 18:20, inspektorët, me urdhër të prokurorit publik, kanë kryer veprime në fshatin Vrutok.
Veprimet janë kryer për shkak të dyshimit për ndotje të ujit me të cilin furnizohet qyteti i Gostivarit.
“Ekzistojnë baza dyshimi se Ndërmarrja Publike ‘Ujësjellës’, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka instaluar tre pompa në kanal me ujëra të zeza, nëpërmjet të cilave është injektuar ujë direkt në tubacionin kryesor që furnizon qytetin. Kjo veprimtari ka qenë me gjasë e ndërmarrë me qëllim që të rritet presioni në rrjet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve të Gostivarit. Po merren masa për sqarimin e plotë të rastit, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale ‘ndotje e ujit të pijshëm’, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit 219 të Kodit Penal. Në sqarimin e këtij rasti, krahas policisë dhe prokurorisë, menjëherë janë përfshirë edhe Instituti për Shëndet Publik, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor, si dhe një ekspert i licencuar që duhet të bëjë vlerësim profesional të sistemit të instaluar ilegalisht”, thonë nga MPB-ja.



