Zv/kryeministri Sali mirëpret pjesëmarrësit e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Skupi”: Folklori është urë që bashkon popujt dhe kulturat

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka mirëpritur sot në Qeveri pjesëmarrësit e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Skupi”, duke vlerësuar rolin e këtij festivali në forcimin e lidhjeve ndërmjet popujve dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Sali theksoi se festivali përfaqëson një urë që lidh kultura, tradita dhe njerëz nga vende të ndryshme, duke dëshmuar se arti dhe folklori janë një gjuhë universale që bashkon.
“Folklori është urë që i lidh popujt, kulturat dhe traditat, ndërsa festivale të tilla janë një kujtesë e fuqishme se shkëmbimi kulturor kontribuon në respektin e ndërsjellë, miqësinë dhe bashkëpunimin”, u shpreh Sali.
Ai falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të aktiviteteve që afrojnë popujt përmes këngës, valleve dhe traditës.
Në fund, zëvendëskryeministri i parë u uroi mysafirëve një qëndrim sa më të këndshëm në Maqedoninë e Veriut, ditë të suksesshme festivali dhe shumë mundësi të tjera për të forcuar miqësinë mes vendeve përmes kulturës.



