Shqipëria fillon përgatitjet ligjore për adoptimin e euros si njësi monetare

Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet mbi aspektet ligjore për adoptimin e monedhës dhe kartëmonedhës euro si para kombëtare, transmeton Anadolu.
Një projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik nga autoritetet shqiptare, përfshin për herë të parë një kapitull që përcakton mënyrën se si do të funksionojë banka qendrore shqiptare pas hyrjes së vendit në zonën euro.
Sipas projektligjit në fjalë, “Njësia monetare në Republikën e Shqipërisë do të jetë Euro”.
“Banka e Shqipërisë do të fusë në qarkullim kartëmonedhat dhe monedhat Euro dhe do t’i tërheqë ato nga qarkullimi në përputhje me Traktatin mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian, Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe të Bankës Qendrore Evropiane, aktet e Bankës Qendrore Evropiane dhe rregulloret e Bashkimit Evropian”, thuhet në projektligj.
Gjithashtu thuhet se Banka Qendrore e Shqipërisë do të përcaktojë dizajnin e monedhave që emeton në përputhje me rregulloret përkatëse të Bashkimit Evropian (BE).
Sipas autoriteteve shqiptare, projektligji synon përafrimin e kuadrit ligjor për Bankën e Shqipërisë me parimet themelore të Traktatit për Funksionimin e BE-së dhe të Statutit të Sistemit Evropian të bankave qendrore dhe të Bankës Qendrore Evropiane.



