Bislimi: Bashkëpunimi me Klinikën e Endokrinologjisë do të forcohet për shërbime më cilësore për pacientët

Zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sedat Bislimi, zhvilloi sot një takim pune me drejtorin e Klinikës Universitare të Endokrinologjisë, Doc. Dr. Irfan Ahmeti, ku u diskutua për sfidat, nevojat dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.
Sipas Bislimit, fokusi i takimit ishte vazhdimi i bashkëpunimit ndërmjet Klinikës Universitare të Endokrinologjisë dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor, me synim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për pacientët.
“Gjatë takimit diskutuam për sfidat dhe nevojat e klinikës, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Klinikës Universitare të Endokrinologjisë dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për pacientët”, deklaroi Bislimi.
Ai theksoi se koordinimi i ngushtë ndërinstitucional mbetet kyç për avancimin e sistemit shëndetësor.
“Jam i bindur se me komunikim të rregullt dhe koordinim institucional do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa konkretë në interes të pacientëve dhe të sistemit shëndetësor”, u shpreh zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor.


