Elezi: Posta e Maqedonisë së Veriut organizon aksion humanitar për dhurimin e gjakut

Posta e Maqedonisë së Veriut ka organizuar një aksion humanitar për dhurimin e gjakut, në bashkëpunim me Institutin e Transfuziologjisë, duke dhënë kontribut në sigurimin e rezervave të gjakut për pacientët që kanë nevojë.
Drejtori i Institutit të Transfuziologjisë, Amir Elezi, njoftoi se aksioni u zhvillua në ambientet e Postës së Maqedonisë së Veriut, e udhëhequr nga drejtori Orhan Kurtishi, i cili hapi dyert për realizimin e kësaj nisme humanitare.
“Gjaku nuk prodhohet në laborator – ai dhurohet nga njeriu për njeriun. Çdo dhurim është një shpresë e re dhe një dëshmi e fuqishme e humanitetit, solidaritetit dhe përgjegjësisë që ndajmë si shoqëri”, theksoi Elezi.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë punonjësit e Postës dhe qytetarët që morën pjesë në aksion, duke vlerësuar gatishmërinë e tyre për të ndihmuar pacientët në nevojë.
“Falënderim i sinqertë për të gjithë punonjësit dhe dhuruesit që u bënë pjesë e këtij akti fisnik”, u shpreh drejtori i Institutit të Transfuziologjisë.



