Evropa po plaket dhe po tkurret: 50 milionë banorë më pak deri në fund të shekullit

Sot ka 450.6 milionë njerëz, por studiuesit thonë se kjo shifër do të arrijë kulmin në 453.3 milionë në vitin 2029, përpara një rënieje të ngadaltë afatgjatë.
Popullsia do të bjerë në 398.8 milionë banorë deri në vitin 2100, një rënie e përgjithshme prej 11.7 përqind dhe një nivel që u përjetua për herë të fundit në vitet 1970.
Evropianët po jetojnë më gjatë se kurrë më parë falë përmirësimit të ndjeshëm të kujdesit shëndetësor dhe kushteve më të mira të jetesës dhe të kushteve sociale.
Por një popullsi në plakje paraqet sfida për shoqërinë dhe ekonominë e BE-së, dhe ndërsa emigrimi mund të ndihmojë, nuk është zgjidhja që Europa mund të shpresojë.
Qendra e Përbashkët e Kërkimeve e ekzekutivit të BE-së tha se jetëgjatësia në lindje arriti në 81.5 vjet në vitin 2024.
Deri në vitin 2050, pothuajse një në tre banorë të BE-së do të jetë 65 vjeç ose më i vjetër, krahasuar me një në pesë sot, tha qendra. Deri në vitin 2100, jetëgjatësia mund të kalojë 90 vjet për gratë dhe 86 për burrat.
Trende të tilla paraqesin “sfida të rëndësishme”, tha BE-ja, duke përfshirë mungesat e fuqisë punëtore, buxhetet publike të sforcuara dhe presionin mbi sistemet e kujdesit dhe arsimit.
Megjithatë, nuk është gjithçka negative, pasi raporti tregon rritjen e “ekonomisë së argjendtë” – një treg në rritje për mallra dhe shërbime për qytetarët e moshuar.
Eigrimi është një domosdoshmëri
Eigrimi mund të ndihmojë në kompensimin e disa efekteve të ndryshimit demografik të Evropës, thanë studiuesit, por do të kishte një ndikim të kufizuar në adresimin “të plotë” të sfidave të paraqitura nga një popullsi në plakje.
Por, ndërsa normat e fertilitetit bien, emigrimi kundërbalancon efektet negative të një popullsie në plakje dhe tkurrjes së fuqisë punëtore, tha raporti.
“Eigrimi është një domosdoshmëri”, u tha gazetarëve komisionerja e BE-së Dubravka Suica.
Më pak foshnje po lindin për secilën grua në Evropë, një rënie që ka qenë e vazhdueshme që nga vitet 1960.
Shkalla e fertilitetit ra në 1.34 fëmijë për grua në vitin 2024, shumë nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1 të nevojshëm për të mbajtur popullsinë të qëndrueshme pa migrim.
Mosha mesatare e një evropiani ishte 44.9 vjeç në vitin 2025, dhe ka dallime të mëdha midis vendeve të BE-së. Irlanda është relativisht e re me një moshë mesatare prej 39.6 vjeç, ndërsa ajo e Italisë ishte 49.1 vjeç.
“Po jetojmë jetë më të gjata dhe më të shëndetshme se kurrë më parë, një nga arritjet tona më të mëdha. Por ndryshimi demografik po riformëson shoqëritë tona, ekonomitë tona dhe tregjet tona të punës”, tha Suica në një deklaratë.
“Ne duhet të veprojmë tani për ta shndërruar këtë transformim në një mundësi”, shtoi ajo.
BE-ja këmbëngul që blloku duhet të rrisë produktivitetin dhe të ulë papunësinë për të kompensuar efektet e një fuqie punëtore në rënie.
Aktualisht, rreth 20 përqind e evropianëve në moshë pune janë jashtë forcës punëtore, thuhet në raport, ndërsa rreth tetë milionë të rinj nuk janë as të punësuar, as në arsim dhe as në trajnim.
Situata është e veçantë për Evropën, pasi popullsia globale nuk po bie.
Rritja e popullsisë është përqendruar gjithnjë e më shumë në pjesë të Afrikës Sub-Sahariane, Azisë Jugore dhe disa vende të Lindjes së Mesme, thuhet në raport.



