Greta Thunberg i bashkohet protestës në Berlin, i bënë thirrje Rheinmetall-it të ndalojë furnizimin me armë për Izraelin

Policia gjermane ka përdorur forcë për të shpërndarë demonstrues pro-palestinezë të cilët bllokuan rrugët e hyrjes në një fabrikë armësh të Rheinmetall-it në Berlin, si pjesë e protestave në rritje kundër furnizimit me armë të prodhuesit gjerman për Izraelin, transmeton Anadolu.

Më shumë se 30 mbështetës të organizatës “Paqësisht kundër gjenocidit”, përfshirë aktivisten suedeze, Greta Thunberg, u mblodhën pranë objektit të kompanisë në lagjen Wedding. Disa prej tyre zhvilluan një protestë në formë të ulur, ndërsa disa të tjerë u ngjitën me ngjitës në tokë për të bllokuar hyrjen në fabrikë.

Policia ndërhyri shpejt për të shpërndarë protestën, duke përdorur atë që organizatorët e përshkruan si forcë joproporcionale dhe duke i larguar demonstruesit nga rruga. Oficerët ndaluan disa aktivistë, disa prej të cilëve u panë me duart e lidhura pas shpine gjatë kontrolleve të identitetit.

Pavarësisht reagimit të policisë, demonstruesit brohoritnin “Liri për Palestinën”, “Liri për Gazën” dhe “Armët tuaja, paratë tuaja vrasin në mbarë botën”.

Elsa Schoenwiese, një nga protestueset në vijën e parë, tha se bota ka hyrë në një periudhë kur secili duhet të pyesë veten se si mund të kontribuojë në krijimin e ndryshimit.

“Kjo është hera e katërt këtë javë që kemi dalë në rrugë për të protestuar. Për sa kohë që përfitohet nga gjenocidi, ne do të vazhdojmë rezistencën paqësore, thjesht sepse si shoqëri civile kemi përgjegjësi të qëndrojmë kundër padrejtësisë”, tha ajo.

“Paqësisht kundër gjenocidit” tha se protesta ishte pjesë e demonstratave që zhvillohen në Berlin nga 8 deri më 15 korrik kundër “bashkëfajësisë së Gjermanisë” në gjenocidin në Palestinë. Grupi kërkon që Rheinmetall të ndalojë të gjitha dërgesat për Izraelin dhe të mbyllë objektin në Berlin.

Fabrika e Rheinmetall-it në Berlin, e cila më parë ishte e përqendruar kryesisht në prodhimin e pjesëve për automjete, është shndërruar në një objekt që prodhon komponentë për municione artilerie.

Aktivistët thonë se municionet e kalibrit të madh të prodhuara aty furnizohen, ndër destinacione të tjera, edhe për Izraelin dhe përdoren në Gaza dhe Libanin jugor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button