Zv/kryeministri Sali në përkujtim të gjenocidin e Srebrenicës: Kujtesa për viktimat është detyrim moral për mbrojtjen e së vërtetës

Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në Parkun e Çairit, me rastin e 31-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, ku theksoi se kujtimi për viktimat nuk është vetëm një akt nderimi, por një detyrim moral dhe njerëzor për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut.

Sali deklaroi se Srebrenica ka tejkaluar kuptimin e një qyteti dhe është shndërruar në simbol të gjenocidit më të rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, duke shërbyer si një kujtesë e përhershme për pasojat tragjike të urrejtjes dhe heshtjes së botës.

“Srebrenica nuk është më vetëm emri i një qyteti. Ajo është simbol i gjenocidit më të rëndë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore dhe një kujtesë e përhershme për pasojat tragjike të urrejtjes, kur bota zgjodhi të heshtë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, zv.kryeministri i parë nënvizoi se varrezat e Potoçarit mbeten një plagë e hapur në ndërgjegjen e Evropës dhe të mbarë njerëzimit, duke rikujtuar se mbi tetë mijë burra dhe djem të pafajshëm u vranë vetëm për shkak të identitetit të tyre.

Ai theksoi se paqja, drejtësia dhe kujtesa janë përgjegjësi e secilit dhe se vetëm duke mos harruar krimet e së kaluarës mund të ndërtohet një e ardhme ku gjenocidi të mos përsëritet më.
Në fund të mesazhit të tij, Sali bëri homazhe për viktimat me thirrjen: “Lavdi e lutje viktimave. Kurrë më Srebrenicë. Kurrë më gjenocid.”



