(VIDEO) Polici qëlloi me armë zjarri në një aheng familjar, MPB-ja e suspendon

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj policit me inicialet Z.R., pjesëtar i Stacionit Policor për Mbikëqyrje Kufitare në Çashkë, për shkak të dyshimeve se ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Sipas MPB-së, më 22 maj 2026, polici, gjatë një feste familjare në oborrin e shtëpisë së tij dhe në prani të një numri të madh të të ftuarve, ka shtënë disa herë me armë zjarri, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e personave të pranishëm.
Përveç kallëzimit penal të dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në departamentin e specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, MPB-ja njoftoi se ndaj policit do të iniciohet edhe procedurë disiplinore.
Po ashtu, ndaj tij do të shqiptohen masat e detyrueshme disiplinore, përfshirë largimin e përkohshëm nga vendi i punës (suspendimin) deri në përfundimin e procedurës disiplinore.



