VLEN: Ndalimi pa shpjegim i tre zyrtarëve tanë kërkon përgjigje zyrtare!

Nga VLEN kanë njoftuar se koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, janë ndaluar sot në pikën kufitare Qafë Thanë, pa u dhënë një sqarim zyrtar për arsyen e ndalesës.

Sipas komunikatës së VLEN-it, tre zyrtarët ishin të pajisur me pasaporta diplomatike, ndërsa ndalesa ka zgjatur rreth një orë.

“Informacionet jozyrtare të komunikuara nga policia kufitare bëjnë të ditur se ndaj tyre ekziston një ndalesë hyrjeje. Megjithatë, asnjë vendim, dokument apo arsyetim nuk u është bërë i ditur”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Nga kjo parti kërkohet nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë që të sqarojnë nëse ekziston një masë e tillë, kush e ka marrë vendimin, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për këtë veprim ndaj përfaqësuesve institucionalë.

“Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button