REL: Paratë e shtetit për OJQ-të në duart e disa administratorëve të BDI-së

Këshilltar shtetëror në Ministrinë e Kulturës dhe ish-deputet të BDI-së, punonjës të Ministrisë në krye me Artan Grubin, ish-anëtar të KSHZ-së, punonjës i komunës së Strugës, por edhe këshilltar për protokoll në Qeveri. Këta janë disa nga personat që kanë marrë paratë e shtetit të destinuara për organizatat joqeveritare të të cilave janë themelues, zbulon Evropa e Lirë. Në njoftimin për ndihmë financiare për organizatat joqeveritare është fshirë neni nga Ligji për Parandalimin e Korrupsionit, i cili ndalon që përfituesit të jenë persona të zgjedhur apo emëruar.

Rreth 325 mijë euro nga thesari i shtetit kanë shkuar në llogaritë e organizatave joqeveritare, në të cilat një pjesë e madhe e themeluesve të tyre tashmë marrin rrogë nga shteti, sipas të dhënave nga databaza e Qeverisë “Financat e Hapura”.

Deri në vitin 2022, paratë për sektorin joqeveritar ndaheshin nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë. Me vendim të qeverisë, për të dytin vit radhazi, ndihma shtetërore për shoqatat rishpërndahet nga ministria e zv.kryeministrit të parë, Artan Grubi.

Një pjesë e 33 përfituesve të parave të shtetit për financimin e shoqatave dhe fondacioneve nga Ministria e Sistemit Politik për vitin 2023 janë edhe organizata të reja të formuara më pak se dy vjet më parë dhe pjesërisht të panjohura për sektorin civil.

Disa nga OJQ-të që kanë marrë grante janë të punësuara në administratën në nivel qendror apo lokal, dhe disa janë pjesë e institucioneve ku janë të emëruar politikisht nga partia në pushtet BDI. Gjatë inspektimit të themeluesve të organizatave joqeveritare, REL ka hasur në emra të njerëzve nga Shkupi, Tetova dhe Struga, të cilët në periudha të caktuara kohore janë të lidhur me BDI-në në pushtet.

Në listën e përfituesve të parave shtetërore, një nga emrat më të spikatur është këshilltari aktual shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehabi, i cili është themelues dhe kryetar i shoqatës joqeveritare “El Hilal – Shkup”.

Kjo shoqatë ka marrë 10 mijë euro nga programi shtetëror për financimin e shoqatave dhe fondacioneve nga ministria e zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Sipas të dhënave nga databaza e Qeverisë “Financat e Hapura”, këto para nga Ministria kanë hyrë në llogaritë e organizatave shtatë ditë pas shpalljes në Gazetën Zyrtare.

Behixhudin Shehabi është i punësuar në Ministrinë e Kulturës si Këshilltar Shtetëror për Çështjet Evropiane dhe Industritë Kreative. Më parë ka qenë sekretar shtetëror në këtë institucion.

Në një prononcim për REL, Shehabi nuk ka treguar se për çfarë projekti ka marrë paratë shoqata, por ka treguar se do të jemi të ftuar në një prezantim të projektit më 18 shkurt.

Për të nuk ka asgjë kontestuese se është njëkohësisht kryetar i shoqatës “El Hilal – Shkup” dhe këshilltar shtetëror në Ministrinë e Kulturës. E pyetëm – a ka dimension moral, etik dhe ligjor në marrjen e parave nga shteti.

“Për mua nuk është një moment i diskutueshëm, në vendin tonë ka njerëz të shquar që kanë arritur rezultate të larta si sportistë dhe punojnë në institucionet shtetërore dhe marrin mbështetje për zhvillimin dhe afirmimin e shtetit në sport, disa në humanizëm. E siguroj jetesën si nëpunës civil. Nuk është aspak e krahasueshme me aktivitetin tim humanitar, nuk shoh asgjë të diskutueshme këtu. Unë jam vullnetar në “El Hilal”, nuk është një organizatë profesionale, por një organizatë joqeveritare në baza vullnetare që kontribuon në uljen e varfërisë. Unë nuk jam profesionist në El Hilal, është si një rekreacion shtesë për mua. Është përmbushja e qëllimeve të mia të jetës”, tha Shehabi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas nenit 52 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, nuk lejohet që një person i zgjedhur apo i emëruar (që nënkupton zyrtarin e emëruar nga Qeveria apo Parlamenti) të jetë përfitues i ndihmës financiare nga shteti.

Megjithatë, sipas kritereve të shpallura në shpalljen publike të publikuar për ndihmën shtetërore për organizatat joqeveritare nga Ministria e Sistemit Politik, pikërisht ky nen është i përjashtuar nga ligji.

Të gjithë analizën e REL dhe OJQ-të e lidhura me BDI-në që kanë fituar para nga ministria e Artan Grubit mund ti gjeni në analizën e plotë të REL.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button