Franca mposht Paraguain 1-0, kualifikohet në çerekfinalen e Kupës së Botës kundër Marokut

Franca u kualifikua në çerekfinale të Kupës së Botës FIFA 2026, pasi mposhti Paraguain me rezultat 1:0, duke siguruar një përballje me Marokun në çerekfinale, transmeton Anadolu.
Paraguai, siç pritej, e nisi ndeshjen me skemën 5-4-1 dhe ruajti një organizim kompakt në mbrojtje gjatë gjithë takimit në Stadiumin e Filadelfias, ku temperatura e ndier arrinte deri në 42 gradë Celsius.
Skuadra nga Amerika e Jugut kërkoi rastet e saj përmes kundërsulmeve të shpejta, duke angazhuar pak lojtarë në sulm.
Franca dominoi posedimin e topit që në fillim ndaj Paraguait të drejtuar nga Gustavo Alfaro, i cili kishte pësuar vetëm një gol në tri ndeshjet e mëparshme. Në 30 minutat e para, francezët realizuan 202 pasime në gjysmën e fushës kundërshtare në kërkim të golit, ndërsa Paraguai vetëm 33 pasime, pasi ia la pothuajse tërësisht posedimin kundërshtarit.
Në minutën e 22-të, Kone goditi fuqishëm nga jashtë zonës, por topi u devijua nga një mbrojtës dhe përfundoi në goditje nga këndi.
Kylian Mbappe rrezikoi në minutën e 51-të pasi depërtoi pas mbrojtjes pas një pasimi të gjatë, por Alderete ndërhyri në momentin e fundit para se sulmuesi francez të gjuante.
Tri minuta më vonë, Kone provoi portierin Gill me një goditje nga distanca, duke e detyruar atë ta devijonte topin në goditje nga këndi. Ishte goditja e parë në kuadrat gjatë ndeshjes.
Franca fitoi një penallti në minutën e 65-të, pasi Doue depërtoi në zonë dhe u rrëzua pas një ndërhyrjeje nga Diego Gomez. Gjyqtari Ilgiz Tantashev fillimisht lejoi lojën të vazhdonte, por më pas akordoi penalltinë pas rishikimit me sistemin VAR.
Mbappe realizoi nga pika e bardhë në minutën e 70-të, duke e dërguar portierin Gill në anën e kundërt dhe duke i dhënë Francës epërsinë 1:0. Me këtë gol, Mbappe arriti në shtatë gola në këtë Botëror dhe 19 në total në historinë e Kupave të Botës.
Ai ishte pranë golit të dytë në minutën e 89-të me një goditje me efekt nga jashtë zonës, por Gill reagoi sërish me sukses.
Në minutat shtesë, Mbappe pati edhe dy raste të tjera pasi Doue depërtoi nga krahu i majtë, por portieri Gill i ndali të dyja përpjekjet.
E mbështetur nga 68.324 tifozë, pavarësisht vapës së madhe, Franca e ruajti epërsinë minimale dhe siguroi kualifikimin në çerekfinale, ku do të përballet me Marokun.



