Nga zullumi te spiunazhi – ligësia si matricë veprimi i BDI-së!

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka akuzuar BDI-në se vazhdon të funksionojë përmes etiketimit dhe stigmatizimit të kundërshtarëve politikë, duke vlerësuar se kjo qasje po reflektohet edhe në institucione.

“BDI nuk sillet si një parti politike normale që garon me ide, programe dhe rezultate. Ajo vazhdon të funksionojë me logjikën e etiketimit, të listave dhe të krijimit të armiqve politikë. Kush nuk mendon si ata, shpallet tradhtar, armik apo rrezik”, ka shkruar Azizi.

Sipas tij, kjo kulturë politike mbështetet te frika, dezinformimi dhe stigmatizimi i kundërshtarëve, në vend të debatit demokratik.

Azizi shpreh shqetësimin se, sipas bindjes së tij, propaganda e BDI-së po arrin të ndikojë edhe në institucionet e shtetit shqiptar.

“Nëse qytetarë të Shqipërisë ose të Maqedonisë së Veriut përfundojnë në ndalesa kufitare apo përballen me masa të tjera vetëm mbi bazën e informacioneve politike të pakonfirmuara, atëherë kemi një problem serioz institucional. Një shtet ligjor nuk mund të marrë vendime mbi thashetheme, etiketime apo raporte politike. Vendimet duhet të mbështeten vetëm në fakte, prova dhe verifikime të plota”, ka deklaruar ai.

Deputeti i VLEN-it shton se do të ishte e dëmshme nëse institucionet do të pranonin lista me emra pa hetim dhe verifikim, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk i shërben drejtësisë, demokracisë dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Për mua, kjo është pasoja më e rrezikshme e politikës së BDI-së: përpjekja për të eksportuar konfliktet e saj politike dhe për t’i paraqitur kundërshtarët si problem sigurie, në vend që t’i përballë me argumente politike”, ka theksuar Azizi.

Në fund të reagimit, ai ka folur edhe për protestat qytetare, duke theksuar se ato duhet t’u përkasin qytetarëve dhe jo partive politike.

“Kam qenë dhe mbetem i mendimit se protestat qytetare duhet t’u përkasin qytetarëve. Përzierja e partive politike apo e faktorëve nga jashtë, qoftë nga Tetova në Tiranë apo nga Tirana në Tetovë, nuk i ndihmon organizatorët, por ua dëmton kauzën”, është shprehur ai.

Azizi ka nënvizuar se liria individuale duhet të respektohet pa dallim bindjesh politike, duke shtuar se askush nuk ka të drejtë t’u diktojë qytetarëve se në cilat protesta mund të marrin pjesë. “Liria individuale është e shenjtë dhe duhet të mbrohet pa dallim bindjesh politike”, ka përfunduar deputeti i VLEN-it.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button