Kur dhe si nisi gjëma e të djathtës në Shqipëri

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë
Kompleksi i inferioritet të së djathtës ndër shqiptarë është më i hershëm, se sa instalimi i diktaturës komuniste. Gjëma e të djathtës në Shqipëri ka filluar në vitin 1924, pas kryengritjes së armatosur të opozitës së asaj kohe dhe marrjes së pushtetit me armë. Rrëzimi i qeverisë së Iliaz Vrionit dhe instalimi i qeverisë së Fan Nolit, prodhoi pasoja largvajtëse edhe në planin e evolucionit të jetës plurale politike.
Me atë rast nuk u shkatërrua vetëm legaliteti i qeverisjes, po edhe u imponua qeverisja revolucionare me dhunë dhe iu hap rruga diktaturës. Revolucioni anarkist shkaktoi pasoja të tmerrshme, për faktin se pas kthimit hakmarrës të Ahmet Zogut, një pjesë e madhe e elitës politike u arratis jashtë vendit, gjë që i mundësoi Ahmet Zogut ta impononte diktaturën. Kur një vend i vogël dhe i brishtë si Shqipëria e vitit 1924, kalon nga anarkia në revolucion e nga revolucioni në diktaturë, në atë vend është shkatërruar jeta normale politike, e cila nënkupton edhe ndarjen ideologjike të partive politike që bëjnë garë për pushtet.
Ndoshta është ilustrativ edhe ky fakt në këtë kontekst: shumica e politikanëve që u arratisën nga Shqipëria pas kthimit të Zogut, u detyruan të futën në listat e shërbimeve sekrete ose organizatave të ndryshme kriminale, që i financonin emigrantët shqiptarë për qëllimet e veta, e jo për interesin e Shqipërisë.
Kësisoj, kishte bejlerë që financoheshin nga organizata KONARE, atdhetarë që financohehin nga shërbimet e shteteve armiqësore si Jugosllavia e Italia, gjë që i çoroditi ata po edhe gjithë jetën politike të Shqipërisë.
Përqafimi i fashizmit nga një pjesë e tyre dhe i komunizmit nga tjetra, dëshmojnë për atë panatyrshmëri të jetës politike dhe të orientimeve ideologjike të elitave politike shqiptare në atë periudhë në emigracion. Atë çoroditje ideologjike dhe atë mendësi mercenare, ata e sollën edhe në atdhe, pas pushtimit fashist.
Në viset e mbetura nën pushtimin jugosllav, ndërmjet dy luftërave botërore, Xhemijeti një kohë ka qenë organizatë kredibile dhe me elemente konservatore. Por pas votimit të Kushtetutës së Vidovdanit, edhe ajo e mori tatëpjetën, me fraksionim e deri me burgosjen e liderit te saj, Ferat Dragës, duke e lënë Kosovën dhe shqiptarët e viseve të pushtuara pa përfaqësim kombëtar e fetar.
Rrjedhimisht, ideologjia komuniste u infiltrua në një pjesë të shoqërisë shqiptare, e cila ishte e dërrmuar nga diktatura dhe nga mungesa e një ndërgjegjeje më të lartë politike e ideologjike në Shqipëri, dhe nga terrori në Kosovë e në viset e tjera shqiptare që ishin të pushutara nga Serbia.
Natyrisht, në këtë fatkeqësi të madhe kombëtare shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, ka pasur ndikim të madh edhe Takimi i Jalltës, i cili de facto e la Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët në sferën sovjetike-komuniste.
Ndoshta po të mos ishte krimi në ujërat e Korfuzit, Shqipëria mund të nxirrej disi në pako me Greqinë nga kthetrat e komunizmit, por pas atij incidenti, Shqipëria u braktisë nga amerikanët dhe nga britanikët, duke u lënë në katastrofën e saj komuniste për gati gjysmë shekulli. E djathta nuk kishte si të ekzisotne në atë katastrofë. Gjithsesi edhe e djathta e sotme, për aq sa është e djathtë, i vuan pasojat e atij shkatërrimi të gjatë.



