Marrëveshja e re me RMV-Shqipëri, tashmë në pikën doganore do ketë protokoll të ri për kalimet

Administrata Doganore Shqiptare dhe Administrata Doganore e Maqedonisë së Veriut po forcojnë bashkëpunimin dypalësh përmes hartimit të një Protokolli të ri për zbatimin e Marrëveshjes Ndërqeveritare për Kontrollet e Përbashkëta Kufitare.

Ky dokument synon rritjen e efikasitetit të kontrolleve doganore, lehtësimin e tregtisë dhe përmirësimin e menaxhimit të kufirit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe objektivat e integrimit rajonal.

Delegacionet e të dy administratave, të kryesuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja dhe Drejtori i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikolovski, së bashku me përfaqësues të misioneve të OSBE-së në të dy vendet, zhvilluan një vizitë në pikën e përbashkët kufitare Qafë Thanë dhe diskutuan mbi zbatimin praktik të Marrëveshjes dhe përfundimin e Protokollit.

Drejtori i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy administratave është një shembull konkret i partneritetit që sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe biznesin.

“Bashkëpunimi mes administratave tona doganore dëshmon se rezultatet arrihen kur ekziston vullneti për të punuar së bashku. Përmes këtij Protokolli do të harmonizojmë procedurat doganore, do të koordinojmë më mirë përdorimin e burimeve dhe do të forcojmë kontrollet, duke lehtësuar njëkohësisht tregtinë e ligjshme dhe lëvizjen e udhëtarëve,” u shpreh Beja.

Nga ana e tij, Drejtori i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikolovski, vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit mes dy institucioneve, duke theksuar se Protokolli do të kontribuojë në uljen e kohës së pritjes në kufi, përshpejtimin e flukseve tregtare dhe rritjen e besimit të komunitetit të biznesit.

Përfaqësuesit e OSBE-së përshëndetën nismën si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe sigurisë rajonale. Ata vlerësuan se Protokolli përfaqëson kulmin e një bashkëpunimi të suksesshëm shumëvjeçar në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, duke zgjeruar modelet ekzistuese të bashkëpunimit edhe në operacionet doganore.

Protokolli i ri pasqyron angazhimin e përbashkët të Administratës Doganore Shqiptare dhe Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut për modernizimin e procedurave kufitare, rritjen e efikasitetit operacional, forcimin e sigurisë dhe lehtësimin e tregtisë, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të rajonit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button