Mot i ndryshueshëm me vranësira, pasdite reshje lokale, erë dhe breshër

Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell, ndërsa pasdite pritet mot i paqëndrueshëm me reshje lokale të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Në disa zona priten procese atmosferike më intensive me reshje më të dendura shiu, mbi 15 litra për metër katror, bubullima, erë me shpejtësi mbi 60 kilometra në orë dhe mundësi për mot të keq afatshkurtër të shoqëruar me breshër.
Temperatura minimale do të lëvizë nga 13 deri në 19 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 22 deri në 34 gradë Celsius.
Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i paqëndrueshëm, me reshje të kohëpaskohshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për mot të keq afatshkurtër me reshje më intensive dhe paraqitje të breshrit. Temperatura minimale do të zbresë deri në 16 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 30 gradë.
Sipas parashikimit të DPHM-së, deri në mesin e javës së ardhshme të punës pritet periudhë me mot stabil dhe kryesisht me diell. Të shtunën do të fryjë erë e përforcuar deri e fortë, ndërsa në ditët në vijim erë mesatare deri e përforcuar nga veriu.



