Nuk ka marrëveshje për Kodin Zgjedhor, pritet bllokadë me mijëra amendamente

As pas takimit të sotëm të koordinatorëve të grupeve parlamentare në Kuvend nuk u arrit marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pikë e mosmarrëveshjes mbeti votimi elektronik i diasporës, i cili ishte vijë e kuqe për VMRO-DPMNE-në për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa për LSDM-në ishte plotësisht i papranueshëm.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski, tha se pret që Kodi Zgjedhor të mbetet i bllokuar dhe se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen sipas rregullave ekzistuese.
“Për fat të keq, edhe dita e dytë e bisedimeve mes koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe deputetëve që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare nuk solli marrëveshje, megjithëse pati tërheqje nga disa qëndrime nga të gjitha grupet parlamentare. VMRO-DPMNE pranoi të gjitha vërejtjet që kishin edhe BDI-ja edhe Levica, u hoqën disa nene që ishin kontestuese, por nuk arritëm ta bindim LSDM-në të tërhiqet nga kundërshtimi për votimin elektronik të diasporës. Konsiderojmë se bisedimet kanë përfunduar dhe sot në orën 14:00 do të thërrasim mbledhjen e Komisionit për Sistem Politik, ku presim që LSDM-ja dhe Levica të dorëzojnë amendamente. Numri i amendamenteve do të shihet në vetë seancën”, tha Micevski.
Ai shprehu keqardhje që puna katërmujore e grupit të punës nuk dha rezultat, pasi LSDM nuk pajtohet që diaspora të votojë në mënyrë elektronike.
“Kjo do të thotë se në zgjedhjet e ardhshme do të vlejë Kodi Zgjedhor ekzistues”, theksoi ai.
LSDM-ja ka paralajmëruar se do të dorëzojë 10.000 amendamente, ndërsa nga Levica priten rreth 3.000 amendamente. Amendamente do të paraqesë edhe LDP-ja.
Kryetarja e LDP-së, Monika Zajkova, deklaroi se nëse nuk sqarohet plotësisht procesi i kontrollit të votimit, atëherë procesi zgjedhor mund të reduktohet në “votim në një fletë të bardhë letre”.
“Nuk kam asgjë kundër votimit elektronik të diasporës dhe të drejtës së saj për të votuar. Por, si deputete e njësisë së parë zgjedhore, nuk mund të lejoj që qytetarët e Shkupit, të Makedonski Brodit apo të zonave prej nga janë me origjinë gjyshërit e mi – Vallandova, Gjevgjelia, Manastiri, Mogilla dhe Novaci – të vendosen në pozitë më të pafavorshme dhe diskriminuese. Me këtë zgjidhje ligjore shfuqizohen vendvotimet në vendbanimet me rreth 10 banorë, duke i vënë në pozitë më të pafavorshme qytetarët që jetojnë në Maqedoni”, tha Zajkova për edicionin qendror të lajmeve në MRT.
Ajo shtoi se është e papranueshme të mos u lehtësohet e drejta e votës qytetarëve maqedonas që jetojnë jashtë vendit dhe kontribuojnë për shtetin, por njëkohësisht nuk do të ishte e drejtë që të mos u lehtësohet votimi edhe qytetarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Maqedoni.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, deklaroi se Kodi Zgjedhor është harmonizuar me rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it, ndërsa amendamentet e paraqitura nga LSDM-ja dhe Levica nuk janë thelbësore, por synojnë të pengojnë zbatimin e Agjendës Reformuese dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me Planin e Rritjes.
Ai tha se VMRO-DPMNE kishte propozuar të pranohen amendamentet që kanë të bëjnë me mënyrën e rrumbullakimit të fletëvotimit dhe procedurën e paraqitjes së ankesave, ndërsa amendamentet e tjera, të cilat i quajti “demagogjike”, të tërhiqen në mënyrë që ligji të miratohet me konsensus politik.

