VLEN: Kontratat për kanalizimin në Zajaz hapin dyshime të reja, a lidhet afera me renë e Ali Ahmetit?

VLEN ka ngritur dyshime të reja lidhur me projektin e kanalizimit në Zajaz, duke kërkuar nga Policia Financiare dhe Prokuroria Publike që ta zgjerojnë hetimin edhe mbi kompanitë vendore të angazhuara në realizimin e projektit.

Në një konferencë për media, kryetari i Komunës së Haraçinës nga radhët e VLEN-it deklaroi se, përveç dyshimeve të ngritura tashmë për keqpërdorime financiare, janë siguruar edhe kontrata bashkëpunimi që, sipas tij, tregojnë se kompania azerbajxhanase “Akelik”, e cila ishte realizuese e projektit, kishte lidhur marrëveshje me gjashtë kompani vendore: RAG Kompani, Përparimi, OZ & AL Trans, Kimi Ibra, Euro Bodeni-Hit dhe Bibaj.

Sipas VLEN-it, këto kontrata hapin një dimension të ri të rastit, pasi, siç u tha në konferencë, tashmë nuk shtrohet vetëm pyetja pse projekti dështoi, por edhe se kush ka përfituar nga ai dhe cilat kompani kanë qenë pjesë e realizimit.

VLEN rikujtoi se Policia Financiare tashmë ka ngritur kallëzim penal për dyshime mbi keqpërdorime në projekt, duke pretenduar se shteti është dëmtuar për mbi 127 milionë denarë, ndërsa janë humbur rreth 9,5 milionë euro fonde të Bashkimit Evropian.

Në konferencë u kërkua që institucionet të japin përgjigje për katër çështje: nëse ekziston ndonjë lidhje biznesi ndërmjet Egzona Rizmanit, resë së Ali Ahmetit, dhe kompanive të angazhuara nga “Akelik”; kush ka propozuar dhe vendosur angazhimin e këtyre kompanive; sa mjete janë paguar për secilën prej tyre dhe cilat punë konkrete kanë kryer; si dhe nëse hetimi do të zgjerohet për të përfshirë të gjithë rrjetin e kompanive të përfshira në projekt.

“Nëse nuk ekziston asnjë lidhje, institucionet duhet ta deklarojnë këtë qartë dhe publikisht. Por nëse një lidhje e tillë ekziston, qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse milionat e Bashkimit Evropian dhe paratë e taksapaguesve kanë përfunduar në një rrjet kompanish të lidhura me familjen Ahmeti”, u tha në konferencën e VLEN-it.

Në përfundim, VLEN theksoi se projekti i kanalizimit në Zajaz nuk është realizuar, ndërsa kërkoi zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjigje për fatin e mjeteve financiare të investuara.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button