Bekim Sali: 24 muaj qeverisje të VLEN-it po e ndryshojnë mënyrën e funksionimit të shtetit dhe rrugën drejt BE-së

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, deklaroi se 24 muajt e qeverisjes së VLEN-it përfaqësojnë një periudhë reformash të thella dhe rezultate konkrete, të cilat, sipas tij, po reflektohen drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Ai këto qëndrime i dha gjatë fjalimit në shënimin e 2-vjetorit të qeverisjes së VLEN-it, të mbajtur ën moton “Transparencë dhe llogaridhënie”.
“Kur themi 24 muaj VLEN-i në punë, nuk e themi këtë si slogan, por si përgjegjësi. Sepse politika e vërtetë fillon aty kur pushteti kuptohet si shërbim, jo si privilegj,” deklaroi Sali, duke shtuar se qeverisja aktuale ka sjellë një kulturë të re politike të bazuar në rezultate.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, ai theksoi se për herë të parë qytetarët po përfitojnë në mënyrë konkrete nga reformat dhe bashkëpunimi me Bashkimin Evropian.
“Kur flasim për Europën, nuk flasim për slogane, por për rezultate. Me Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave kemi siguruar mbështetje historike nga Bashkimi Evropian dhe kemi hapur rrugën që qytetarët të ndjejnë përfitime reale – nga integrimi në SEPA, pagesa më të lira, afrimi me tregun e përbashkët evropian, deri te ‘Roam Like at Home’,” u shpreh ai.
Sali përmendi edhe reformat në fushën e të drejtave dhe barazisë, duke theksuar se po zgjidhen çështje të trashëguara prej dekadash, përfshirë mundësimin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe dhe përgatitjen e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Ai foli edhe për masat kundër industrisë së lojërave të fatit, përmes ligjit të ri që kufizon praninë e kazinove pranë shkollave, ndalon reklamat e kumarit dhe mbyll platforma ilegale online.
Në fund, ai vlerësoi si arritje edhe legalizimin e Medresesë “Isa Beu”, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe rritjen e punësimeve dhe avancimeve në sektorin publik.
“Funksionet vijnë dhe shkojnë, por gjurmët që lëmë në jetën e njerëzve mbeten. Ne synojmë që ky mandat të mbahet mend si periudhë e një shteti më të drejtë dhe më funksional,” përfundoi Sali.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button