FSK-ja, institucioni më i besueshëm nga qytetarët në Republikën e Kosovës

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është institucioni më i besueshëm nga qytetarët në Republikën e Kosovës sipas rezultateve të një ankete rajonale WeBalkans e realizuar sivjet, transmeton Anadolu.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, duke ju referuar kësaj ankete, tha se 87,4 për qind e besueshmërisë së qytetarëve e gëzon FSK-ja, duke u renditur si institucioni më i besueshëm në Kosovë dhe duke e bërë FSK-në forcën ushtarake me nivelin më të lartë të besueshmërisë qytetare në mesin e të gjitha forcave ushtarake në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.
“Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohjen e saj të thellë për qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin e vazhdueshëm ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky besim është dëshmia më e fuqishme se investimet e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, profesionalizmin e personelit dhe ndërtimin e një force moderne po japin rezultatet e tyre”, shkroi Maqedonci.
Ai tha se ky sukses është meritë e çdo ushtaraku, nënoficeri, oficeri dhe pjesëtari të personelit civil të FSK-së, të cilët me përkushtim, disiplinë dhe integritet i shërbejnë vendit çdo ditë.
Ministri Maqedonci shtoi se Ministria e Mbrojtjes mbetet e përkushtuar të mbështesë më tej transformimin dhe modernizimin e FSK-së, në përputhje me standardet e NATO-s dhe aspiratën strategjike të Republikës për anëtarësim në NATO.



