Bekim Qoku shpërthen ndaj Ali Ahmetit: Po mbron kastën e korruptuar, ka frikë nga “Shqipëria e Re”

Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, se “Shqipëria e ka ndihmuar Kosovën gjatë luftës së vitit 1999, na ka ndihmuar edhe neve, prandaj edhe ne duhet ta ndihmojmë”.
Sipas Qokut, kjo deklaratë përmban dy gabime themelore. Ai vlerëson se Ahmeti e identifikon Shqipërinë me një individ të vetëm dhe ndihmën ndaj Shqipërisë e paraqet si ndihmë ndaj një personi, ndërsa në të njëjtën kohë Shqipërinë e trajton si një shtet të huaj ndaj të cilit shqiptarët kanë një borxh historik.
Qoku shkon edhe më tej në kritikat e tij, duke thënë se Ahmeti po e stigmatizon idenë e “Shqipërisë së Re”, sepse ajo nënkupton, sipas tij, përmbysjen e kastës së vjetër politike të korruptuar që ka dominuar për më shumë se dy dekada.
“Duke stigmatizuar protestën dhe protestuesit, Ali Ahmeti po sillet si njëra dorë që lan tjetrën. Të korruptuarit e Ballkanit: bashkohuni!”, shkruan Qoku.
Reagimi i deputetit të VLEN-it vjen në kohën kur debati politik mes pushtetit dhe opozitës shqiptare po ashpërsohet, veçanërisht rreth zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri dhe ndikimit të tyre në skenën shqiptare në rajon.



