Saliu: Opozita shqiptare po ndryshon qëndrime ndaj BDI-së sipas interesit politik

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar me një deklaratë publike duke kritikuar atë që e cilëson si ndryshim të qëndrimeve të partive të opozitës shqiptare ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), varësisht interesave politike momentale.
Saliu thekson se është e papranueshme, sipas saj, kur aktorë politikë që kanë kundërshtuar për një kohë të gjatë BDI-në, sot pozicionohen pranë saj ose mbështesin politika të ngjashme me ato që më herët i kanë kritikuar.
“Të flasësh për të kaluarën, për atë se kush ka qenë në BDI e kush jo, ndërkohë që sot je i reshtuar krah tyre, i mbështet dhe ndjek po ato politika që i ke luftuar për më shumë se dy dekada, për mua është e papranueshme,” ka deklaruar Saliu.
Ajo shton se ka vërejtur një sjellje të përsëritur te subjektet politike shqiptare në opozitë, të cilat sipas saj ndryshojnë qasje në varësi të interesit politik të momentit.
“Një fakt i çuditshëm që po e shoh kohëve të fundit me subjektet politike të opozitës shqiptare, kur ju leverdis, e mbështesin dhe e lavdërojnë njëri-tjetrin, kur nuk u konvenon, i rikthehen akuzave, sharjeve dhe sulmeve ndaj BDI-së,” ka shtuar ajo.
Në fund të deklaratës së saj, Saliu thekson se nuk i ka gjykuar kurrë individët për përkatësinë e tyre partiake, duke e konsideruar lirinë e zgjedhjes politike si vlerë demokratike.
“PS: asnjëherë nuk kam gjykuar njerëzit për përkatësinë e tyre partiake apo për subjektin politik ku kanë vepruar. Gjithmonë kam besuar se secili ka të drejtë të zgjedhë rrugën e vet politike sepse e konsideroj vlerë e demokracisë,” ka përfunduar ajo.
Saliu gjithashtu rithekson se qëndrimi i saj kritik ndaj BDI-së ka qenë i vazhdueshëm dhe i pandryshuar, duke shtuar se gjithmonë ka ngritur zërin kundër politikave që, sipas saj, kanë qenë të dëmshme.



