Haraçina shënon dy jubile: 30-vjetorin e komunës dhe 25-vjetorin e Betejës së Lavdishme

Me aktivitete përkujtimore dhe manifestim qendror, sot në Haraçinë u shënuan dy ngjarje të rëndësishme historike dhe institucionale: 30-vjetori i themelimit të Komunës së Haraçinës dhe 25-vjetori i Betejës së Lavdishme të Haraçinës.
Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, njoftoi se aktivitetet nisën me zbulimin e një pllake përkujtimore në shtëpinë bazë të UÇK-së, në shtëpinë e Ragmi Eminit – Komandant Musteqja. Më pas u zhvilluan homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, ku u nderuan luftëtarët e rënë.
Manifestimi qendror u mbajt në Amfiteatrin e Hapur pranë komunës, me pjesëmarrjen e gjeneralëve, komandantëve, veteranëve të luftës, familjeve të dëshmorëve, përfaqësuesve institucionalë dhe qytetarëve.
Duke folur për rëndësinë e përvjetorit të betejës, Beqiri theksoi se kjo ngjarje mbetet simbol i sakrificës dhe rezistencës.
“25-vjetori i Betejës së Lavdishme të Haraçinës na rikujton heroizmin, guximin dhe sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë tonë. Prania e gjeneralëve dhe bashkëluftëtarëve në këtë përvjetor ishte një dëshmi e gjallë e rrugës së vështirë që u përshkua për të arritur lirinë që e gëzojmë sot”, deklaroi Beqiri.
Ai u ndal edhe te përvjetori i themelimit të komunës, duke e cilësuar si një moment reflektimi për zhvillimin institucional të Haraçinës gjatë tre dekadave.
“Tre dekada rrugëtim institucional, zhvillim dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve janë dëshmi e forcës dhe qëndrueshmërisë së komunës sonë. Ky jubile është një motivim për të vazhduar punën për një Haraçinë edhe më të zhvilluar”, tha ai.
Në fund të mesazhit të tij, kryetari i komunës shprehu nderim për dëshmorët dhe veteranët, duke uruar qytetarët për jubileun e komunës.



