BE: Bisedimet me zyrtarët talebanë kanë përfshirë kthimin e afganëve

Komisari Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin i Bashkimit Evropian (BE), Magnus Brunner, ka bërë të ditur se bisedimet me përfaqësuesit e qeverisë afgane ishin “diskutime rreptësisht operative” lidhur me kthimin e personave të dënuar që përfshijnë shtetas afganë dhe nuk përfshinin asnjë lëshim ndaj administratës talebane, transmeton Anadolu.

“Nuk bëhet fjalë për lëshime, absolutisht asnjë lëshim”, tha Brunner gjatë një konference për media në Bruksel.

Brunner njoftoi se një takim i parë në nivel teknik mes dy palëve u mbajt në Kabul në muajin janar, i ndjekur nga një takim i dytë sot në Bruksel, i cili u përqendrua në mënyrën “operative” për kthimin e personave të dënuar në Afganistan.

Ai tha se 20 shtete anëtare të BE-së kërkuan që Komisioni Evropian të koordinojë përpjekjet për kthimet në Afganistan.

Brunner theksoi se diskutimet ishin të kufizuara vetëm në “marrëveshje praktike” për kthimet dhe se ato duhet të shihen si një procedurë normale administrative.

Sipas komisarit evropian, 15 shtete anëtare të bllokut morën pjesë në takimin e së martës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Afganistanit, Abdul Qahar Balkhi, tha se Kabuli shpreson që “kjo vizitë do të hapë rrugë të reja për angazhim pozitiv, do të forcojë përpjekjet për trajtimin e çështjeve me të cilat përballen afganët që jetojnë jashtë vendit dhe do të zgjerojë më tej bashkëpunimin bazuar në respektin e ndërsjellë dhe interesat e përbashkëta”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button