Kasami pret kryebashkiakun e Kukësit, fokus bashkëpunimi për projekte ndërkufitare

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve.
Kasami bëri të ditur se takimi shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave lidhur me sfidat dhe perspektivat e zhvillimit lokal, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional mes Tetovës dhe Kukësit.
“Pata kënaqësinë të mirëpres në takim Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, z. Albert Halilaj. Një mundësi e mirë për të shkëmbyer mendime dhe përvoja mbi sfidat dhe perspektivat e zhvillimit lokal”, ka deklaruar Kasami.
Sipas tij, gjatë bisedimeve vëmendje e veçantë i është kushtuar mundësive për realizimin e projekteve ndërkufitare, të cilat mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të rajoneve përkatëse.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për realizimin e projekteve ndërkufitare, të cilat mund të sjellin zhvillim të qëndrueshëm, shkëmbim përvojash dhe përfitime konkrete për qytetarët në të dy anët e kufirit”, theksoi Kasami.
Takimi u vlerësua si një hap drejt forcimit të lidhjeve mes dy komunave dhe identifikimit të nismave të përbashkëta që mund të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe social të zonave që ato përfaqësojnë.

