Shkëlqen aktori nga Shkupi, Bejtulla Kerimi – prezanton kulturën shqiptare gjithandej nëpër botë

Aktori nga Shkupi, Bejtulla Kerimi, po vazhdon të korrë suksese në skenën ndërkombëtare të artit rrugor, duke përfaqësuar Maqedoninë e Veriut dhe kulturën shqiptare në festivale të njohura në rajonin e Ballkanit.

Gjatë muajve të fundit, ai ka marrë pjesë në disa festivale prestigjioze të artit rrugor në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe vende të tjera të rajonit, ku është paraqitur me performancën e tij të veçantë si “statujë e gjallë” (Living Statue). Ky lloj arti kërkon përgatitje të veçantë fizike dhe artistike, pasi performuesi qëndron për periudha të gjata pa lëvizur, duke krijuar iluzionin e një skulpture të vërtetë dhe duke mahnitur mijëra vizitorë.

Bejtulla Kerimi është bërë pjesë e programeve ndërkombëtare të festivaleve të njohura të artistëve rrugorë, ndërsa performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave lokale. Festivale të tilla mbledhin artistë nga shumë vende të Evropës dhe promovojnë shkëmbimin kulturor përmes artit në hapësirat publike.

Përmes rolit të tij si “statujë e gjallë”, Kerimi jo vetëm që sjell një formë të veçantë të artit teatror, por edhe promovon Shkupin dhe kulturën e vendit në skena ndërkombëtare. Pjesëmarrja e tij në këto ngjarje dëshmon se artistët nga Maqedonia e Veriut mund të jenë pjesë e denjë e festivaleve më të rëndësishme të artit në rajon.

“Arti nuk ka nevojë gjithmonë për skenë dhe perde. Ndonjëherë mjafton një shesh qyteti, një kostum dhe përkushtimi i artistit për të krijuar magji para publikut”, është mesazhi që përcjell kjo formë e veçantë artistike.

Me paraqitjet e tij, Bejtulla Kerimi vazhdon të jetë një ambasador i artit dhe një shembull i përkushtimit artistik që tejkalon kufijtë e vendit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button