Një aristokrat italian nën hetim për vrasjet e “safarit njerëzor” në Sarajevë

Një aristokrat italian po hetohet nën dyshimin se ka paguar për të qëlluar njerëz në një zonë lufte, si pjesë e një skandali të tmerrshëm të njohur si “safari njerëzor”.

Hetuesit në Evropë po kërkojnë persona në Itali, Austri, Francë, Zvicër dhe Belgjikë, për të cilët dyshohet se mund të kenë marrë pjesë si snajperistë me pagesë gjatë fundjavave, gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90, në kohën e luftës në Bosnje.

Aristokrati nga Milano është vetëm personi më i fundit i lidhur me hetimin që po shqyrton pagesa të mëdha parash për t’u bashkuar me snajperistët në kodrat mbi kryeqytetin boshnjak, në periudhën 1992–1995.

Rrethimi i Sarajevës mori jetën e më shumë se 11 mijë personave, mijëra prej të cilëve ishin civilë.

Sipas gazetës The Times, pjesëmarrësit paguanin edhe më shumë para për të qëlluar gra dhe fëmijë, ndërsa pas një dite vrasjesh, konsumonin alkool dhe organizonin festa, përcjell Alfax.mk.

Akuzat u shfaqën për herë të parë në dokumentarin Sarajevo Safari të regjisorit Miran Zupanic.

Libri i ri Weekend Snipers i gazetarit italian Ezio Gavazzeni trajton rolin e qitësve italianë, një temë që vitin e kaluar nxiti nisjen e një hetimi nga autoritetet italiane.

Magjistratët që po zhvillojnë hetimet pritet të takohen në fund të qershorit për të koordinuar gjetjet e tyre në agjencinë shumëkombëshe evropiane të drejtësisë Eurojust.

Sipas The Times, duke cituar burime të afërta me hetimin, magjistratët italianë kanë marrë në pyetje katër të dyshuar dhe 20 dëshmitarë.

Mes të dyshuarve ndodhet një ish-shofer kamioni, 80 vjeç, ndërsa një burrë 65-vjeçar u arrestua të mërkurën në veri të Italisë.

Burimet pohojnë se një aristokrat i njohur, por ende i paidentifikuar nga Milano, është gjithashtu nën hetim.

“Ai pritet të merret në pyetje”, tha burimi.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e 65-vjeçarit, autoritetet gjetën një silenciator, ndërsa ish-partnerja e tij u dorëzoi një fotografi me një leje hyrjeje për në Bosnje në pjesën e pasme, si dhe atë që ajo e përshkroi si një listë të viktimave të vrara.

Sipas The Times, ajo u ka thënë hetuesve se ai i kishte treguar se largohej nga Milano me “persona që gjatë fundjavave bëheshin snajperistë për të vrarë myslimanë”.

Duke folur për gazetën britanike, Gavazzeni tha:

“Më kontaktoi një dëshmitar, i cili raportoi se aristokrati ishte mburrur më shumë se një herë me miqtë e tij për safarin gjatë darkave.”

“Besoj se edhe miqtë e tij janë marrë në pyetje”, shtoi ai.

Ka pasur gjithashtu pretendime se në kodrat mbi qytetin e rrethuar kanë qenë të pranishëm edhe qitës nga Britania, Spanja, Rusia dhe Gjermania.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button