Azizi godet BDI-në: Përfaqësimin e shqiptarëve e përdorët vetëm për propagandë

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka akuzuar BDI-në për, siç tha ai, keqpërdorim të çështjes së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat gjatë viteve të qeverisjes së saj.

Në një status të publikuar në Facebook, Azizi deklaroi se Komisioni për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i udhëhequr nga BDI-ja, nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet konkret për avancimin e përfaqësimit të shqiptarëve.

“Komisioni për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i kryesuar nga BDI-ja për vite me radhë, nuk ka mbajtur asnjë mbledhje të vetme për avancimin e përfaqësimit të shqiptarëve. Për ta, përfaqësimi ka shërbyer vetëm si slogan dhe propagandë politike, jo si kauzë reale”, ka shkruar Azizi.

Ai u ndal edhe te akuzat për korrupsion dhe keqpërdorime, duke thënë se VLEN-i ka ngritur pretendimet e tij mbi baza faktike.

“Paditë dhe akuzat për vjedhje ne i kemi ngritur me argumente dhe fakte konkrete, ndërsa ju përgjigjeni vetëm me arsyetime dhe përpjekje për t’i relativizuar aferat tuaja”, theksoi deputeti.

Azizi akuzoi BDI-në se ende nuk ka dhënë sqarime për një sërë rastesh që ai i cilësoi si skandale të qeverisjes së kaluar.

“Ende nuk keni dhënë përgjigje për skandalet e Maxhar Telekomit, Soravisë, rastin e pacientit, Lotarisë dhe shumë aferave të tjera që kanë shoqëruar qeverisjen tuaj”, deklaroi ai.

Në fund të reagimit të tij, deputeti i VLEN-it vlerësoi se qytetarët tashmë kanë krijuar një perceptim të qartë për mënyrën e qeverisjes së BDI-së.

“I keni dhënë vetes detyrë që të bardhën ta paraqisni si të zezë dhe të zezën si të bardhë. Por ky mashtrim nuk kalon më. Populli ju njeh, ju ka parë në veprim dhe nuk ju beson më”, shkroi Azizi në reagimin e tij.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button