Biden thirrje Kongresit të miratojë “pa vonesë” shitjen e avionëve F-16 për Turqinë

Presidenti amerikan Joe Biden u dërgoi një letër drejtuesve të komisioneve kryesore të Kongresit të mërkurën duke i informuar ata për synimin e tij për të filluar procesin zyrtar të njoftimit për shitjen Turqisë të avionëve F-16 të kompanisë Lockheed Martin, sapo Ankaraja të përfundojë procesin e pranimit të Suedisë në NATO.
Në letrën drejtuar anëtarëve më të lartë republikanë dhe demokratë të komisioneve të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, Presidenti Biden i kërkon Kongresit të miratojë shitjen “pa vonesë”, tha një zyrtar amerikan. Më herët të mërkurën Shtëpia e Bardhë u dërgoi një letër anëtarëve të Kongresit duke kërkuar miratimin e shitjes prej 20 miliardë dollarësh të avionëve F-16 dhe pjesëve të këmbimit në Turqi, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters katër persona në dijeni të letrës.
Parlamenti i Turqisë ratifikoi të martën kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke hequr pas 20 muajsh vonesë një pengesë të madhe për zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore. Burimet thanë se letra u dërgua të mërkurën dhe se administrata e Presidentit Biden ende nuk e kishte njoftuar zyrtarisht Kongresin për planet për shitjen.



