Kryediplomati turk: Mbajtja hapur e Ngushticës së Hormuzit, jetike për tregtinë globale dhe sigurinë energjetike

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se ruajtja e lundrimit të sigurt, të lirë dhe të pandërprerë përmes Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për stabilitetin rajonal, sigurinë globale energjetike dhe tregtinë ndërkombëtare, raporton Anadolu.
Duke folur së bashku me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, pas bisedimeve në Moskë, Fidan mirëpriti marrëveshjen e arritur midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA) dhe Iranit, duke e përshkruar atë si një moment të rëndësishëm diplomatik që mund të ndihmojë në uljen e tensioneve në të gjithë rajonin.
“Ashtu siç ka theksuar edhe presidenti ynë Recep Tayyip Erdogan, shpresa jonë më e madhe është që ky hap, i cili i ka dhënë rajonit tonë dhe mbarë botës një mundësi për të marrë frymë, të evoluojë në një arkitekturë strukturore dhe të qëndrueshme sigurie, e jo në një periudhë të përkohshme qetësie”, tha Fidan.
Ai tha se Turqia shpreson që marrëveshja të kalojë në fazën përfundimtare të nënshkrimit, të zbatohet plotësisht dhe të zhvillohet në një kornizë të përhershme diplomatike.
“Gjatë periudhës së ndjeshme që çon drejt nënshkrimeve përfundimtare, është thelbësore të shmanget retorika që mund të helmojë atmosferën e paqes dhe çdo përpjekje e mundshme sabotimi nga Izraeli që synon të pengojë procesin”, tha ai.
Fidan tha se vullneti politik i treguar nga udhëheqësit amerikanë dhe iranianë ka luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes.
“Ne i vlerësojmë përpjekjet ndërmjetësuese të Pakistanit dhe mirëpresim mbështetjen e ofruar nga Katari dhe Arabia Saudite për nismat diplomatike”, tha ai.
“Mbajtja e Ngushticës së Hormuzit të hapur për kalimin e sigurt, të lirë dhe të pandërprerë të të gjitha anijeve, ashtu siç ishte para luftës, ka rëndësi jetike jo vetëm për stabilitetin rajonal, por edhe për sigurinë globale energjetike dhe tregtinë ndërkombëtare”, shtoi ai.
Fidan tha se Turqia shpreson që marrëveshja të hapë rrugën për një proces më të gjerë paqeje rajonale dhe u zotua se Ankaraja do të vazhdojë t’i mbështesë këto përpjekje.



