Nga përdorimi i trotineteve, katër deri në pesë fëmijë në javë përfundojnë me lëndime të rënda

Katër deri në pesë fëmijë në javë përfundojnë me lëndime të rënda në ortopedinë e Tetovës, nga aksidentet me trotinete. Mjeku Haris Karaxhenemi, alarmon prindërit që t’ua ndalojnë fëmijëve të tyre trotinetet sepse dëmtimet shpesh lënë pasojë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
“Alarmant është numri i rasteve që paraqiten në ambulantën tonë, dhe është në rritje. Apelojmë prindërit dhe institucionet shtetërore që të bëjnë çmos për parandalimin e përdorimit të trotineteve nga fëmijët. Çdo javë kemi nga katër pesë raste lëndimesh të fëmijëve sidomos. Andaj edhe një herë të ndalohet përdorimi i trotineteve nga fëmijët. Disa nga këto lëndime shkaktohen edhe në zonat e rritjes së eshtrave mund të lënë pasoja për të ardhmen, deformitete gjatë zhvillimit apo rritjes së sistemit skeletor”, deklaroi, Haris Karaxhenemi, Ortoped.
Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë por edhe MPB në nivel të shtetit, kanë rritur masat e kontrollit ndaj trotineteve por edhe drejtuesve të motoçikletave.
“SPB Tetovë dhe MPB ka rritur masat dhe aktivitetet kontrolluese, me qëllim zvogëlimin e numrit të shkeljeve që ndodhin dhe sanksionimin e drejtuesve që nuk respektojnë rregullat. Vetëm dje në rajonin e Tetovës, janë konstatuar gjithsej dhjetë shkelje, pra pesë për mos mbajtje helmete mbrojtëse, katër drejtim i pakujdesshëm i automjetit dhe janë konfiskuar motoçikletat, si dhe është konstatuar edhe një shkelje për drejtim të automjetit me kategori të papërshtatshme”, u shpreh Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.
Gjatë kontrollit të njësitit mobil në Tetovë një ditë më parë janë ndërmarrë masa ndaj 71 personave që kanë bërë shkelje në trafik. /Alsat.mk.


