Shasivari: Ligji vulosë përfaqësimin dhe parandalon manipulimet me përkatësinë etnike

Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, që synon zëvendësimin përfundimtar të Balancuesit të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, vazhdoi të diskutohet në Komisionin parlamentar për Sistem Politik.
Eksperti Prof.Dr. Jeton Shasivari, pjesë e grupit punues që hartoi tekstin, e paraqiti propozim-ligjin si një hap me peshë kushtetuese. “Ligji nuk është vetëm një ligj, por është një vulë përfundimtare dhe operative e pikës 4.2 të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe amendamentit 6 të Kushtetutës,” tha ai, duke shtuar se ligji “rregullon respektimin, afirmimin, monitorimin, promovimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore dhe publike” dhe se “është rojtar i rendit kushtetues, sepse nuk ia lë barazinë rastësisë apo vullnetit të mirë.”
Sipas Shasivarit, risia kryesore qëndron tek përkufizimet ligjore që ligji i sjell për herë të parë. “Përfaqësimi adekuat pasqyron përafërsisht popullsinë, bazuar në regjistrimin e fundit, si referencë… Pra ligji përdor të dhëna, jo hamendje,” tha ai, ndërsa për përfaqësimin e drejtë theksoi se ai “siguron trajtim dhe mundësi të barabarta, duke respektuar rregullat e kompetencës dhe integritetit” duke e lidhur “në mënyrë të qartë përfaqësimin etnik me sistemin e meritës, duke mos sakrifikuar cilësinë për sasinë”.
Për arsyet e heqjes së Balancuesit, ai ishte i prerë. “Balancuesi si një vegël digjitale, tashmë antievropiane për shkak se u kritikua me raportin e Komisionit Evropian të vitit 2023, dhe antikushtetuese për shkak se u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit 2024, shpesh ishte abuzuar dhe ishte një vegël e gabuar matematikore e ish-qeverisë”, theksoi Shasivari.


