Përfundon numërimi i votave të diasporës, LVV-ja arrin në 50 mandate

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar procesin e numërimit të votave në përfaqësi diplomatike, proces i cili u zhvillua më 6 qershor, një ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Lëvizja Vetëvendosje ka arrirë fitore bindëse në këtë kategori të votave, ku sipas të dhënave të KQZ-së, ka siguruar 18.789 vota apo 83,28 për qind të votave. Me numërimin e këtyre votave, LVV-së i janë shtuar dy mandate në Kuvendin e Kosovës. Ajo me rezultatin aktual do t’i ketë 50 deputetë.
E dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 1.608 vota apo 7,13 për qind, ndërsa sipas rezultatit aktual do të ketë 23 deputetë.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 1.490 vota apo 6,60 për qind dhe do të ketë 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka 464 vota apo 2,06 për qind ndërsa në Kuvend pritet t’i ketë 8 deputetë.
Në Kosovë numërimi i votave me postë, që janë rreth 100 mijë vota, është ende në faza fillestare, ndërkaq i atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta ende nuk ka nisur. Numërimi i tërësishëm i votave nga diaspora do të mund ta ndryshojë përsëri numrin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës për ndonjë parti.



