OKB: Sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor “më të larta se çdo vit tjetër”

OKB-ja paralajmëroi të enjten se sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar po ndodhin me një ritëm “më të lartë se çdo vit tjetër të regjistruar”, mesatarisht gjashtë incidente në ditë, duke shkaktuar viktima ose dëme materiale, raporton Anadolu.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha në një konferencë për media se “numri i sulmeve të kolonëve që kanë shkaktuar viktima ose dëme materiale këtë vit në Bregun Perëndimor tashmë ka kaluar mbi 1.000”.
“Këto sulme kanë prekur më shumë se 230 komunitete në të gjitha pjesët e Bregut Perëndimor”, tha ai, duke shtuar se “më shumë se 2.200 palestinezë janë zhvendosur këtë vit për shkak të dhunës së kolonëve ose kufizimeve të tjera të qasjes, ndërsa qindra të tjerë janë zhvendosur për shkak të shembjeve të shtëpive nga autoritetet izraelite”.
Dujarric tha se “vetëm javën e kaluar, sulmet e kolonëve rezultuan në plagosjen e më shumë se 30 palestinezëve dhe në dëme të gjera ndaj pronave, infrastrukturës kryesore dhe mjeteve të jetesës”.
“Ritmi aktual i sulmeve të kolonëve, që shkaktojnë viktima ose dëme materiale, mesatarisht gjashtë incidente në ditë, është më i lartë se çdo vit tjetër i regjistruar”, tha ai.
Autoritetet palestineze prej dekadash i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të ndaluar ndërtimin e vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.
Që kur Izraeli nisi luftën në Gaza në tetor 2023, zyrtarët palestinezë thonë se masat izraelite që synojnë aneksimin e Bregut Perëndimor janë intensifikuar, përfshirë shembjet e shtëpive, zhvendosjet me forcë dhe zgjerimin e vendbanimeve.
Sipas organizatës Peace Now, rreth 500 mijë kolonë izraelitë të paligjshëm jetojnë në vendbanime të paligjshme në gjithë Bregun Perëndimor, ndërsa 250 mijë të tjerë jetojnë në vendbanime të ndërtuara në tokat palestineze në Kudsin Lindor të pushtuar.
Sipas të dhënave palestineze, forcat izraelite dhe kolonët kanë vrarë të paktën 1.169 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, kanë plagosur më shumë se 12.600 dhe kanë arrestuar rreth 23 mijë persona që nga tetori 2023.
Në një opinion historik të korrikut të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin izraelit të territorit palestinez të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



