Kryeparlamentari Gashi në pritjen solemne për Ditëlindjen e Mbretit Charles III, vlerëson partneritetin me Mbretërinë e Bashkuar

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar me rastin e Ditëlindjes së Mbretit Charles III, me ftesë të ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në vend, Matthew Lawson.
Në një njoftim publik, Gashi shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet diplomatik dhe falënderoi ambasadorin britanik për ftesën dhe mikpritjen.
“Pata kënaqësinë që, me ftesë të Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Sh.T. Matthew Lawson, të marr pjesë në pritjen solemne të organizuar me rastin e Ditëlindjes së Shkëlqesisë së Tij, Mbretit Charles III”, deklaroi Gashi.
Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
“Shpreha mirënjohjen time për ftesën dhe mikpritjen, duke vlerësuar rolin e marrëdhënieve tona dhe forcimin e urave të bashkëpunimit e mirëkuptimit”, tha kryeparlamentari.
Sipas tij, zhvillimi i marrëdhënieve miqësore dhe thellimi i bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar mbetet i rëndësishëm për avancimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.



