Beqiri: Investime të reja në Orllancë, ndriçim publik dhe asfaltim rrugësh

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka njoftuar se ka nisur montimi i ndriçimit publik në fshatin Orllancë, në kuadër të investimeve komunale për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët.
Beqiri theksoi se Orllanca mbetet një nga prioritetet e komunës dhe se investimet konkrete në këtë vendbanim do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.
“Sot kemi filluar me montimin e ndriçimit publik edhe në fshatin Orllancë. Orllanca është pjesë e prioriteteve tona dhe do të vazhdojmë me investime konkrete për përmirësimin e kushteve për qytetarët”, deklaroi ai.
Kryetari i Haraçinës bëri të ditur gjithashtu se së shpejti do të nisë asfaltimi i Rrugës 1 dhe Rrugës 2 në fshat, si pjesë e projekteve infrastrukturore që po realizohen në terren.
“Së shpejti fillon edhe asfaltimi i Rrugës 1 dhe Rrugës 2, duke vazhduar kështu me realizimin e projekteve tona në terren”, tha Beqiri.
Ai shtoi se komuna do të vazhdojë të investojë në të gjitha vendbanimet, duke theksuar se zhvillimi duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët.
“Punojmë për çdo vendbanim, sepse zhvillimi duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, u shpreh kryetari i Komunës së Haraçinës.



