Osmani: Pa institucione të themeluara shpejt, ëndrra e Kosovës për NATO dhe BE mbetet larg

Ish-presidentja e Kosovës tani prijëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, Vjosa Osmani, ka thënë se rezultati zgjedhor ka treguar se kompromisi midis partive do të kërkohet për formimin e Qeverisë, udhëheqjen e Kuvendit dhe pozitën e presidentit, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për CNN International pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Osmani ka deklaruar se mesazhi i qytetarëve në zgjedhje ishte se nuk ka vend për politikë të llojit “show i një njeriu”.
“Çdo përpjekje nga ana jonë do të fokusohet në gjetjen e kompromisit dhe krijimin e institucioneve sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të ecim përpara me disa vendime shumë të rëndësishme për interesin e vendit. Në këtë pikë, kompromisi është i nevojshëm jo vetëm për ta zgjedhur presidentin, por edhe për ta zgjedhur qeverinë e re dhe udhëheqjen e parlamentit. Pra për të tre institucionet, do të na duhet një kompromis i ri”, ka deklaruar Osmani.
Ajo e ka cilësuar urgjente çështjen e arritjes së një kompromisi, duke thënë se nëse për 60 ditë nuk zgjidhet presidenti i ri, Kosova shkon në zgjedhje të reja.
Osmani ka thënë se LDK-ja është e gatshme për të diskutuar me të gjitha partitë, pos Listës Serbe. Ajo ka theksuar se pa institucione të themeluara shpejt, ëndrra e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian (BE) mbetet larg.
Ish-presidentja Osmani nuk kishte mbështetjen e Vetëvendosjes për të marrë edhe një mandat si presidente. Pasi përfundoi mandati i saj dhe Kuvendi nuk zgjodhi emër tjetër, Kosova shkoi në zgjedhje. Osmani u rikthye në listën e LDK-së duke u prezantuar si kandidate për presidente.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit nxorën Lëvizjen Vetëvendosje sërish fituese me 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të marrë 24 ulëse dhe LDK-ja 20, ndërkaq AAK-ja ka siguruar 8 ulëse.
Për formimin e qeverisë së re kërkohet shumicë e thjeshtë parlamentare, apo 61 vota nga 120 gjithsej. Ndërkaq, për presidentin kërkohen të paktën 80 vota në dy rundet e para.



