Azizi: Veprimet e BDI-së kanë favorizuar interesat serbe, jo ato shqiptare

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar me kritika ndaj BDI-së, duke numëruar një sërë veprimesh politike që sipas tij kanë favorizuar interesat serbe dhe kanë dëmtuar interesat kombëtare shqiptare.
“Veprat flasin më shumë se parullat.
‘Ballkani i Hapur’ kundër qëndrimit të Kosovës dhe në favor të zgjerimit të ndikimit serb në rajon.
Takimet e shpeshta të Ali Ahmetit me Vuçiçin sa herë që ai vinte në RMV, ndonëse nuk ishin homologë institucionalë.
11 vizita të Bujar Osmanit në Serbi, asnjë në Kosovë.
Plani 9-pikësh i Bujar Osmanit që kërkonte tërheqjen e Policisë së Kosovës nga Banjska, ndërsa në veri vepronin grupet e armatosura të Radoiçiçit.
Zyrtarizimi i gjuhës serbe në Kumanovë me vetëm 6% serbë, ndërkohë që shqiptarët për dekada kanë luftuar për të drejtat e tyre gjuhësore.
Këto nuk janë akuza, por veprime konkrete politike të ndodhura në kohën kur BDI përfaqësonte shqiptarët në qeveri.
Prandaj, është e vështirë të gjesh në historinë e pluralizmit shqiptar një seri më të gjatë veprimesh që kanë favorizuar interesat serbe dhe kanë dëmtuar interesat kombëtare shqiptare, sesa ato të realizuara nga ata që sot e paraqesin veten si patriotë të përhershëm.
Patriotizmi nuk dëshmohet me uniforma, slogane dhe kujtime lufte, por me vendime politike në shërbim të kombit”, ka shkruar Azizi.



