VLEN: Hap historik, po e avancojmë Marrëveshjen e Ohrit

Përfaqësuesi i VLEN-it, Daut Memishi, deklaroi se vendi ndodhet para një momenti historik, pasi pas më shumë se dy dekadash vonesë, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po merr formë ligjore dhe po shndërrohet në obligim për të gjitha institucionet.

Në një konferencë për media, Memishi theksoi se bëhet fjalë për një parim kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe se miratimi i ligjit paraqet një hap të rëndësishëm drejt zbatimit dhe avancimit të saj.

“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Prandaj ky nuk është një ligj i zakonshëm, por një hap historik përpara drejt zbatimit dhe avancimit të Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Memishi.

Ai akuzoi partitë që kanë qenë më parë në pushtet se për vite me radhë kanë premtuar miratimin e këtij ligji, por nuk kanë treguar vullnet për ta realizuar.

“Ky ligj është dashur të miratohej para më shumë se dy dekadave. Ata që sot bërtasin, e kishin besimin e shqiptarëve dhe pushtetin për ta bërë këtë ligj. Në çdo zgjedhje premtonin, në çdo mandat arsyetoheshin. I kishin të gjitha, por një gjë nuk e kishin – vullnetin”, tha ai.

Sipas Memishit, është kontradiktore që disa politikanë kanë deklaruar se Marrëveshja e Ohrit është realizuar plotësisht, ndërkohë që një nga shtyllat kryesore të saj, Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, nuk ishte miratuar.

“Nëse gjithçka paska qenë e kryer, ku mbeti Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit?”, pyeti ai.

Memishi theksoi se avancimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk bëhet me deklarata politike, por me zgjidhje konkrete ligjore.

“Marrëveshja e Ohrit nuk avancohet me fjalime përvjetorësh e deklarata të bukura para kamerave. Avancohet kur parimet e saj kthehen në ligj”, u shpreh ai.

Sipas tij, ligji i ri do ta bëjë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat detyrim ligjor për të gjitha institucionet, duke vendosur metodologji të qarta, përdorim të të dhënave dhe përgjegjësi institucionale.

Në fund, Memishi krahasoi periudhën e gjatë të pritjes për këtë ligj me angazhimin aktual të VLEN-it.

“Për 25 vite nuk e prekën këtë ligj me dorë. VLEN po e bën për 25 muaj. Për shqiptarët më shumë vlen një ligj që i mbron, sesa një post për fotografi e mburrje politike”, deklaroi ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button