Ahmeti: Në këto 24 vjet kemi punuar me dinjitet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka njoftuar se partia shënoi 24-vjetorin e themelimit në një aktivitet të organizuar në Parkun e Qytetit në Shkup, ku morën pjesë anëtarë, simpatizantë dhe mbështetës të saj.

Sipas Ahmetit, përvjetori u festua në një atmosferë festive, pozitive dhe me energji të lartë, duke vlerësuar rrugëtimin e BDI-së gjatë më shumë se dy dekadave në skenën politike të vendit.

“Për 24 vite me radhë, BDI ka përfaqësuar me dinjitet qytetarët, duke mbetur forca politike më e organizuar, më e konsoliduar dhe më e etabluar në vend”, theksoi Ahmeti.

Ai shtoi se partia vazhdon të mbetet besnike ndaj misionit me të cilin u themelua, duke e cilësuar BDI-në si “zërin autentik të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve që besojnë në barazi, demokraci dhe integrim”.

Në mesazhin e tij, Ahmeti vlerësoi se arritjet më të rëndësishme të shtetit mbajnë vulën e angazhimit të BDI-së, ndërsa shprehu bindjen se sfidat aktuale do të tejkalohen përmes unitetit dhe vendosmërisë.

“Edhe sfidat dhe përballjet e sotme, të cilat me të drejtë ngjallin shqetësim, do t’i tejkalojmë së bashku, me unitet dhe vendosmëri, duke e rikthyer Maqedoninë e Veriut në rrugën e sigurt drejt vlerave perëndimore dhe integrimit euroatlantik”, deklaroi Ahmeti.

Në fund, kreu i BDI-së uroi të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe mbështetësit e partisë me rastin e 24-vjetorit të themelimit të saj.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button