Haxhiu: Kosova mbetet e përkushtuar për një proces integrues që vlerëson meritat

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor dhe përpara Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat, raporton Anadolu.
Zyra e Presidentes së Kosovës bëri të ditur se gjatë takimit Haxhiu e falënderoi Presidentin Costa për vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit Evropian ndaj rajonit, derisa theksoi se për Kosovën, anëtarësimi në BE mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror.
U.d. Presidentja Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon dhe për qytetarët e saj, BE-ja është bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit.
“Në një kohë ndikimesh të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë për vetë Bashkimin Evropian”, tha Haxhiu.
Në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor ku Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë Plan si mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në BE dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake. Në këtë frymë, sipas njoftimit, Haxhiu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me BE-në.
Haxhiu shtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore, bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe mbetet e përkushtuar për një proces integrues që vlerëson meritat, përmbushjen e kritereve dhe përparimin e Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, për rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për nevojën që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane.


