12 të vrarë në sulmet izraelite në Libanin jugor pavarësisht armëpushimit

Të paktën 12 persona u vranë dhe një mjek u plagos sot në një seri sulmesh ajrore izraelite në jug të Libanit, në shkeljen më të fundit vdekjeprurëse të marrëveshjes së armëpushimit në fuqi, transmeton Anadolu.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit, NNA, tha se një person u vra dhe një tjetër u plagos në një sulm izraelit në Chehabiyeh në rethin Tyre.

Një sulm me dron goditi një automjet në rrugën Zefta–Nabatieh, duke vrarë shoferin dhe duke plagosur një mjek që ndodhej afër, sipas raportimit.

Dy persona të tjerë u vranë kur një dron izraelit goditi automjetin e tyre në qytetin jugor Braiqaa, ndërsa një shtetas sirian u vra në një sulm të veçantë pranë Spitalit “Sheikh Ragheb Harb” në qytetin Toul.

Pesë persona u vranë gjithashtu në sulme ajrore gjatë natës në qytetin Kfar Sir në jug të Libanit, tha NNA-ja.

Një tjetër sulm izraelit vrau dy persona në qytetin Zebdine, sipas të njëjtit burim.

Izraeli ka vazhduar sulmet në Liban pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill dhe u zgjat për 45 ditë pas negociatave indirekte të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmet izraelite që nga 2 marsi kanë vrarë më shumë se 3.400 njerëz në gjithë vendin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button