Kasami pret Albulena Haxhiun në Tetovë: Do të thellojmë bashkëpunimin me Kosovën

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në Tetovë presidenten në detyrë të Kosovës, Albulena Haxhiu, me të cilën ka zhvilluar një takim ku është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe zhvillimet politike në Kosovë.
Kasami bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për projektet e përbashkëta mes dy qeverive, marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe lidhjet e ngushta që i bashkojnë shqiptarët në të dy anët e kufirit.
“Biseduam për projektet e përbashkëta mes dy qeverive tona, marrëdhëniet e shkëlqyera mes shteteve tona dhe lidhjet e ngushta të shqiptarëve në dy anët e kufirit”, theksoi Kasami.
Në fokus të bisedës kanë qenë edhe zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, ku sipas Kasamit është nënvizuar rëndësia e stabilitetit politik dhe e formimit të institucioneve në përputhje me vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.
“Folëm edhe për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit si dhe rëndësinë e stabilitetit politik dhe formimin e institucioneve bazuar në vullnetin politik të qytetarëve të shprehur me votë”, deklaroi ai.
Kryetari i Tetovës shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës edhe pas formimit të qeverisë së re.
“Do të jemi afër qeverisë së re në Kosovë dhe do ta vazhdojmë e thellojmë bashkëpunimin e shkëlqyer”, u shpreh Kasami.
